Pyetje të shpeshta të nxënësve
1Pse është e rëndësishme e drejta e autorit?
E drejta e autorit është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e krijimtarisë. Më konkretisht, çdo krijim intelektual i shprehur në një formë është i mbrojtur nga e drejta e autorit.
Mbrojtja e veprave nënkupton në fakt mbrojtjen e autorëve, respektimin dhe njohjen e punës së tyre intelektuale dhe motivimin e tyre (financiar dhe moral) për krijimin e mëtejshëm.
2Sa zgjat e drejta e autorit?
E drejta e autorit nuk zgjat përgjithmonë. Ajo zgjat nga data e krijimit të veprës deri në 70 vjet pas vdekjes së autorit.
3Çfarë është pirateria?
Termi "pirateri" shpreh në gjuhën e zakonshme konceptin e shkeljes së të drejtës së autorit dhe/ose të drejtave të lidhura me të në një shkallë të gjerë ose tregtare dhe i referohet krijimit, shpërndarjes dhe shitjes së kopjeve të paligjshme (pirate) të veprave të mbrojtura.
Muzika përbën një nga veprat e artit më të piratuara, ashtu si filmat, librat (si librat konvencionalë ashtu edhe ato elektronikë), videolojërat dhe programet kompjuterike. Pirateria është një aktivitet i paligjshëm që prek thellë jo vetëm autorët dhe mbajtësit e të drejtave, por edhe shoqërinë në tërësi.
4Cilat janë objektet e Pronësisë Industriale?
a) patentat dhe modelet e përdorimit;
b) disenjot industriale;
c) markat tregtare dhe të shërbimit;
d) treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës;
5Çfarë është patenta?
Patenta ështe një e drejtë ekskluzive e dhënë për një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces, i cili sjell një mënyrë të re të krijimit të diçkaje, ose ofron një zgjidhje të re të problemit.
6Çfarë është një Disenjo Industriale?
Disenjo është aspekti estetik apo ornamental i një prodhimi.
Termi “disenjo” përdoret për të përcaktuar karakteristikat tredimensionale (të formave dhe sipërfaqeve) si dhe të atyre dy dimesionale (vizatimeve, vijave apo ngjyrave) të aplikuara në produket industriale, të cilat i japin produktit një paraqitje tërheqëse për konsumatorin.
7A është një patentë e vlefshme në çdo vend?
Patentat janë të drejta territoriale.
Në përgjithësi, të drejtat ekskluzive janë të zbatueshme vetëm në vendin ose rajonin në të cilin është paraqitur dhe dhënë një patentë, në përputhje me ligjin e atij vendi ose rajoni.