E Drejta e Autorit

Çfarë është e drejta e autorit?

E drejta e autorit është një term ligjor që përdoret për të përshkruar të drejtat që kanë krijuesit mbi veprat e tyre letrare dhe artistike. Krijimtaritë që mbulohen nga e Drejta e Autorit variojnë nga librat, muzika, pikturat, skulpturat dhe filmat, deri te programet kompjuterike, bazat e të dhënave, reklamat, hartat dhe vizatimet teknike.


E drejta e autorit nuk shtrihet në ide, por vetëm në shprehjen e mendimeve. Për shembull, ideja e marrjes së një fotografie të perëndimit të diellit nuk mbrohet nga e drejta e autorit. Prandaj, çdokush mund të bëjë një fotografi të tillë. Por një fotografi e veçantë e perëndimit të diellit të marrë nga një fotograf mund të mbrohet nga e drejta e autorit. Në një rast të tillë, nëse dikush tjetër bën kopje të fotografisë dhe fillon t’i shesë pa pëlqimin e fotografit, ai person do të shkelte të drejtat e fotografit

E drejta e autorit është mbrojtja ligjore e shtrirë te titullari i te drejtave në një vepër origjinale që ai ka krijuar. Ajo përbëhet nga 2 grupe kryesore të drejtash: të drejtat ekonomike dhe të drejtat morale.
Të drejtat ekonomike janë të drejtat e riprodhimit, transmetimit, performancës publike, përshtatjes, përkthimit, recitimit ne publik, shfaqjes publike, shpërndarjes e kështu me radhë.
Të drejtat morale përfshijnë të drejtat e autorit për të kundërshtuar ndonjë shtrembërim, gjymtim apo modifikim/ndryshim tjetër që mund ti bëhet veprës së tij që mund të dëmtojë nderin apo reputacionin e tij.