Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale ka startuar projektin pilot (Train the Trainers) për trajnimin e mësuesve të sistemit të arsimit para universitar me qëllim informimin e tyre në fushën e pronësisë industriale.
Trajnimi i mësuesve në shkallë vendi, vjen si rekomandim i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, si një indikator i qëndrueshëm në edukimin e brezave të rinj.
Ky projekt është një iniciativë e DPPI, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Para Universitar, ku së fundmi êshtë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Ndalesa e parë ishte në qytetin e Bulqizës, në shkollën “Shefqet Tançi”, ku të pranishëm ishin 43 mësues që shprehen interesin e tyre për njohjen, informimin rreth fushës së pronësisë industriale, duke e cilësuar si faktor të rëndësishëm në edukimin e brezave.
Gjatë prezantimeve të objekteve të pronësisë industriale nga përfaqësuesit e DPPI, u zhvilluan biseda dhe pyetje interaktive midis të pranishmëve duke e bërë më interesante ciklin e trajnimit.
Në mbyllje të trajnimit u shpërndanë çertifikata për të gjithë mësuesit pjesëmarrës, si dhe një gamë të gjerë botimesh në fushën e pronësisë intelektuale.
Një falënderim i veçantë shkon për Zyrën Arsimore Bulqizë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e arritur ndërmjet dy institucioneve.
Na ndiqni në takimin e radhës!




